Klinton në Kazakistan në mes të “stuhisë” Wikileaks

30/11/2010 22:30

Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton mbërriti ditën e martë në Astana të Kazakistanit duke nisur turin katër ditor që përveç Kazakistanit do të përfshijë vizita zyrtare në Republikën e Kirkizit, Uzbekistan dhe Bahrein.

Turi i shefes së diplomacisë amerikane mbërrin në një moment kur të gjitha mediat flasin për skandalin e publikimit të materialeve sekretet të Departamentit të Shtetit, ku Klinton rezulton e implikuar me urdhërin për spiunimin e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së si dhe vetë Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun.

E pyetur se si do t’u “justifikohet” Uashingtoni aleatëve të tij në kulmin e shpërthimit të skandalit të spiunazhit ku përfshihen diplomatët amerikanë, Klinton u shpreh se ka patur kontakte përgjatë gjithë javës me liderë të ndryshëm anembanë globit, por problemi sipas saj nuk qendron tek raportet mes Uashingtonit dhe vendeve të tjera, por tek aktivistët e të drejtave të njeriut, liderët fetarë, e shumë zyrtarë të tjerë të cilët kanë raportuar për SHBA-në shkeljet që bëhen në vendin e tyre. Këta persona, vijoi Klinton, rrezikojnë jetën e tyre me publikimin e materialeve dhe korespondencave të klasifikuara mes diplomatëve amerikanë dhe Departamentit të Shtetit, pasi emrat e tyre mund të gjenden në këto dokumente.

“Bësoj se ishte një akt i lartë papërgjegjshmërie që vendos në rrezik jetën e mijëra personave të pafajshëm në të gjithë botën”, tha ndër të tjera në fjalën e saj në Astana të Kazakistanit, sekretarja Klinton.

Top Channel