Itali, protesta kundër reformës në arsim

25/11/2010 17:20

Reforma e re për arsimin e hartuar nga qeveria Berlusconi ka shkaktuar protesta jo pak të dhunshme në mbarë Italianë.

Kështu, në qytetin e Romës dhjetra studentë kanë zgjedhur të hyjnë brenda Koloseut për të kundërshtuar shkurtimet për arsimin.

Studentët, pasi kanë kapërcyer unazën e monumentit antik kanë ngritur një parullë ku shkruhej: “Asnjë shkurtim, asnjë përfitim”.

Më pas, protestuesit kanë braktisur Koloseun duke kërcënuar se do të pushtojnë selinë e shenjtë të Vatikanit.

Protesta janë regjistruar edhe në Firence, ku 6 studentë të këtij universiteti kanë mbetur të plagosur në përleshjet me policinë.

Një prej tyre mori një goditje të rëndë në fytyrë dhe u shoqërua nga shokët e tij në një nga spitalet e qytetit.

Ndërkohë, në Piza, disa dhjetra studentë u shkëputën nga një kortezh prej 2 mijë personash dhe hynë në brendësi të kullës historike të qytetit, në sheshin e Mrekullive.

Ndërsa jashtë, qindra të tjerë formuan në shenjë proteste një kordon të gjatë njerëzor për të penguar hyrjen e turistëve.

Si përfundim, reforma për arsimin e hartuar nga ministria Maria Stella Gelmini nuk mori votat e duhura në Parlament dhe për pasojë do të rivotohet në fund të muajit.

Top Channel