NATO mblidhet në Lisbonë

19/11/2010 11:20

Liderët e vendeve të NATO-s mblidhen në Lisbonë në samitin e cilësuar si më i rëndësishmi që nga krijimi Aleancës.(UPDATE)

Kjo aleancë ushtarake që funksionoi në kushtet e Luftës së Ftohtë, po kërkon të bëhet një forcë edhe më energjike në shekullin e 21 duke bërë një përcaktim të ri se cili është misioni i saj, si mund t’i mbrojë ajo vendet e saj anëtare nga kërcënimet e reja, duke filluar nga raketat balistike e deri te sulmet kibernetike.

Lufta në Afganistan do të jetë sot një nga çështjet që do të dominojë samitin dy ditor të NATO-s në Lisbonë.

Udhëheqësit e aleancës ushtarake priten të diskutojnë për afatin e kalimit të kompetencave në fushën e sigurisë tek forcat afgane.

Duke folur për BBC-në sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, hodhi dritë mbi afatin e këtij transferimi.

‘Ne do të bëjmë një deklaratë të rëndësishme në fund të samitit në Lisbonë ku do të thuhet se transferimi gradulal i sigurisë afgane në forcat e vendit do të nisë në fillim të vitit 2011 dhe shpresojmë të përfundojë gradualisht në 2014-ën, dhe unë mendoj se ky udhërrëfyes është realist’, thotë zoti Rasmussen.

Në samit është edhe presidenti i Rusisë, i cili rikthehet në takimet e aleances qe pas konfliktit me Gjeorgjinë. Në samit do marrë pjesë edhe Shqipëria si vend anëtar i Aleancës.

Top Channel