Dështimi me të burgosurit në Guantanamo

18/11/2010 12:30

Politika e Presidentit Obama për gjykimin në gjykata civile të të dyshuarve të mbajtur në qendrën e ndalimit në Guantanamo Bay duket se ka pësuar goditjen e parë.

Një gjykatë federale në Nju Jork e shpalli fajtor të dyshuarin e parë të transferuar nga Guantanamo, me akuzën për konspiracion në lidhje me sulmet me bomba të Al-Qaeda-s në ambasadat amerikane në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998.

Ahmed Khalfan Ghailani, një shtetas i Tanzanisë, u lirua nga disa dhjetëra akuza për vrasje dhe terrorizëm.

Korrespondenti i BBC-së në Uashington, Iain Mackenzie thotë se për Ghailanin ishin ngritur 281 akuza, përfshirë edhe atë për vrasje dhe përpjekje për vrasje. Juria e shpalli Ahmed Ghailanin fajtor vetëm për akuzën e bashkëpunimit për dëmtimin e ndërtesave dhe pronës shtetërore.

Gjykata hodhi poshtë një mori dëshmish kundër Ghailanit, sepse ato ishin siguruar nga CIA në të ashtuquajturit ‘burgje te zinj’ – apo qendra të paautorizuara ndalimi jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara.

Top Channel