SHBA, Viktor Bout deklarohet i pafajshëm

17/11/2010 21:45

Trafikanti rus i armëve, Viktor Bout ka deklaruar se është i pafajshëm ndaj akuzave për terrorizëm të ngritura ndaj tij nga drejtësia amerikane.

Deklarata e Bout erdhi vetëm pak orë pasi ai mbërriti në SHBA, të cilat e ekstraduan nga Tajlanda pas një beteje të gjatë ligjore.

Ish-oficeri i forcave ajrore ruse akuzohet se është përpjekur t’u shesë armë rebelëve kolumbianë dhe se ka tentuar të trafikojë armë të përdorura në Afrikë dhe në Lindjen e Mesme.

Cështja ka ngritur tensionet me Rusinë, zyrtarët e të cilës pretendojnë se ajo mund të kërcënojë bashkëpunimin në Afganistan.

Bout rrezikon të përballet me 25 vjet burg nëse dënohet. Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Eric Holder e ka cilësuar atë si një nga trafikantët më profesionistë të armëve në botë.

Aktualisht Bout ndodhet në një burg të sigurisë së lartë në Nju Jork në pritje për të dalë para gjyqtarëve në janar të vitit të ardhshëm.

Top Channel