Suu Kyi: Do të luftoj për partinë time

16/11/2010 13:05

Liderja pro-demokratike e Birmanisë, Aung San Suu Kyi ka deklaruar se është e vendosur të luftojë për partinë e saj, Lidhja Demokratike, e cila kontestohet dhe konsiderohet si një parti e shkrirë nga Junta ushtarake.

Përmes avokatit të saj, Suu Kyi ka pohuar se do të nisë një procedurë ligjore, për të cilën ka firmosur një deklaratë dhe është betuar.

Suu Kyi, e cila u lirua pas 15 vjet arrest shtëpie, do ta përqendrojë aktivitetin e saj tek lirimi i të burgosurve politikë në vend.

Ashtu si dhe lideri i Afrikës së Jugut Nelson Mandela, 65 vjecarja është bërë një simbol ndërkombëtar i rezistencës paqësore ndaj regjimeve shtypëse.

Në vitin 1991, një vit pasi partia e saj Lidhja Demokratike fitoi bindshëm në zgjedhje, që më pas u anuluan nga regjimi, ajo u vlerësua me cmimin Nobël për Paqen.

Top Channel