“Tregtari i Vdekjes” ekstradohet në SHBA

16/11/2010 10:15

Trafikanti i armëve Viktor Bout është nisur nga Tajlanda drejt Shteteve të Bashkuara, pas vendimit të një gjykate të Bangkokut për ekstradimin e tij.

Bout la Bangkokun vetëm pak momente pasi qeveria tajlandeze mbështeti ekstradimin e tij pas disa muajsh betejë gjyqësore.

Bout u arrestua nga agjentë amerikanë që shtireshin si rebelë të fraksionit kolumbian FARK, të cilëve ai u përpoq t’u shiste armë në një hotel të Bangkokut, në vitin 2008.

Shtetasi rus do të përballet në gjyq me akuzat e komplotit për shitjen e armëve dhe nëse shpallet fajtor ai rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm.

Bout, 43 vjec, ka kaluar mbi 15 vjet duke u shitur armë lordëve afrikanë të luftës dhe militantëve islamikë. Ai u quajt “Tregtari i Vdekjes” nga një politikan britanik.

Top Channel