Ekonomia, Obama: Duhet bashkëpunim global

10/11/2010 17:20

Presidenti amerikan Barack Obama ka bërë thirrje bashkë me liderët e tjerë botërorë që të lënë mënjanë diferencat e tyre dhe të punojnë bashkë për rimëkëmbjen e ekonomisë globale.

Në vigjilje të samitit G20 që do të nisë punimet nesër në Seul, Obama është shprehur se Shtetet e Bashkuara do të luajnë rolin e tyre për të krijuar vende pune dhe për të ulur diferencat globale.

Ndërsa në një fjalim të mbajtur para mbledhjes në Korenë e Jugut, Obama ka theksuar se SHBA nuk mund t’ia dalin të vetme dhe ka pranuar se vendi i tij duhet të ndryshojë.

“Kur të gjitha vendet do të bëjnë pjesën e tyre, ne të gjithë do të përfitojmë një rritje më të lartë ekonomike”, ka pohuar presidenti amerikan.

Deklarata e zotit Obama shihet si një përpjekje për të ulur frikën se samiti i Seulit mund të sjellë një përplasje mes SHBA dhe Kinës për të ashtuquajturën “lufta e valutave” dhe cekuilibrimin tregtar.

Përgatiti: Genc Frashëri

Top Channel