SHBA-Indonezi, firmoset marrëveshja

09/11/2010 14:25

SHBA dhe Indonezia do të zgjerojnë bashkëpunimin e tyre në fushën e ekonomisë, sigurisë dhe përsa i përket cështjes së ndryshimeve të klimës.

Presidenti amerikan Barack Obama, pas takimit me homologun indonezian, ka deklaruar se dy vendet do shtojnë lidhjet tregtare dhe do të sjellin rritje të prosperitetit.

Ndër të tjera, Obama ka kritikuar zgjedhjet e fundit në Birmani, që sipas tij nuk ishin as të lira e as të ndershme, si dhe ka kërkuar lirimin e aktivistes Aung San Suu Kyi.

Ditën e nesërme presidenti amerikan do të mbajë një fjalim në xhaminë më të madhe të Azisë jug-lindore, me qëllim angazhimin e botës islamike.

Duke folur sot në Xhakarta, Obama ka deklaruar se ka punuar shumë për të riparuar lidhjet me komunitetet myslimane, por ka paralajmëruar se, “disa keqkuptime dhe mosbesime do të mbeten”.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti do të shkurtojë vizitën e tij me disa orë për shkak të hirit vullkanik të malit Merapi, që mund të shkaktojë probleme tek fluturimet.

Por ditën e sotme Obama nuk e ka mbyllur me kaq. Ai ka komentuar edhe vendimin e autoriteteve izraelite për të vijuar ndërtimet në zonën arabe të Jeruzalemit, duke deklaruar se ai nuk i kontribuon paqes.

Top Channel