SHBA, goditet “unaza” meksikane e drogës

05/11/2010 09:55

Policia në Shtetet e Bashkuara ka arrestuar 45 persona të akuzuar për pjesëmarrje në kartelin meksikan të drogës, La Familia.

Gjatë operacionit, të kryer kundër celulës që operon në Atlanta, agjentët kanë sekuestruar para, armë dhe sasi të konsiderueshme droge.

Policia ka deklaruar se qyteti në fjalë është kthyer në një qendër të madhe shpërndarjeje, prej nga narkotikët dërgohen për në qytetet e tjera fqinje.

Por ata theksuan se arrestimet e kryera do të do të reduktojnë ndjeshëm operacionet e kartelit famëkeq në Atlanta.

Autoritetet e drejtësisë kanë deklaruar se personat në fjalë do të akuzohen për trafik droge, pastrim parash dhe armëmbajtje pa leje.

Gjatë operacionit u sekuestruan 23 kilogramë metamfetaminë, 43 kilogramë kokainë dhe mbi 2 mijë kilogramë marijuanë, që në treg do të kapnin vlerën e 10 milionë dollarëve.

Top Channel