SHBA, republikanët drejt kontrollit të Kongresit

03/11/2010 02:40

Presidenti amerikan Barak Obama dhe Partia Demokratike morën një goditje të rëndë teksa duket se tashmë e kanë të humbur mazhorancën në Dhomën e Përfaqësuesve, e për më tepër as parashikimet për në Senat nuk janë më të mira.

Nga rezultatet e deritanishme, referuar BBC-së republikanët kanë marrë kontrollin e 126 vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa demokratët vetëm 74 mandate. Ndërkohë që edhe për përfaqësuesit e Senatit situata nuk paraqitet më e mirë për demokratët. Kështu republikanët nga 37 mandatet që do të ripërtëriheshin kanë siguruar deri më tani 17 prej tyre, kundrejt 7 të demokratëve, ndërsa 13 janë ende në “lojë”.

Sipas sondazheve të ndërmarra televizionet amerikane, pjesa më e madhe e votuesve mendojnë që ekonomia e vendit është në një gjendje mjaft të keqe dhe po rritet shumë ngadalë. Pikërisht ky fakt dhe papunësia prej 10 përqindësh u shfrytëzuan mjaft mirë në fushatën e republikanëve “TEA Party” e cila duket se dha rezultatet e saj.

Në rast të një fitoreje të republikanëve, si në Dhomën e Përfaqësuesve apo edhe në Senat dy vitet e fundit të mandatit të presidentit Obama pritet të jenë mjaft të vështira për të realizuar reformat që ai kërkon.

Top Channel