Obama: Humbja, përgjegjësia ime

03/11/2010 19:05

Presidenti amerikan Barack Obama, duke komentuar humbjen në zgjedhjet afatmesme, ka deklaruar se votuesit amerikanë ndihen të frustruar për shkak të rrugës së rimëkëmbjes së ekonomisë.

Republikanët fituan 60 vende, duke marrë kështu kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve. Ndërsa demokratët ruajtën kontrollin e Senatit, pavarësisht se edhe këtu humbën vende.

Liderët republikanë i kanë bërë thirrje presidentit që të rikthejë reformën shëndetësore dhe t’i kushtojë vëmendje shkurtimit të shpenzimeve.

Por Obama, përvecse ka pranuar përgjegjësinë për rezultatin, ka bërë thirrje që të gjendet gjuha e përbashkët me republikanët për cështjet kryesore.

“Asnjë parti nuk ka kontroll të plotë, kështu që është e rëndësishme që republikanët dhe demokratët të punojnë së bashku për punësimin, sigurinë dhe të ardhmen, në të njëjtën linjë me atë të votuesve”, ka deklaruar Obama.

Megjithatë, presidenti amerikan ka pranuar se kjo nuk do të jetë një gjë e lehtë, “pasi ne nuk do të jemi në gjëndje të lëmë mënjanë të gjitha diferencat tona”.

Top Channel