SHBA, amerikanët gati për zgjedhje

02/11/2010 12:00

Miliona votues po përgatiten për të votuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të zgjedhur anëtarët e rinj të Dhomës së Përfaqësuesve dhe një të tretën e Senatit.

Partia Demokratike e presidentit Barack Obama pritet të humbasë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe po përpiqet që të ruajë Senatin.

Nga ana tjetër, republikanët shpresojnë që të bëjnë për vete votuesit e pakënaqur nga situata ekonomike.

Kandidatët bënë dje, në ditën e fundit të fushatës, përpjekjet finale për të nxitur votuesit.

Votimet do të fillojnë në Bregun Lindor në 06:00, me orën lokale, kur do të hapen edhe qendrat e votimit në Konektikat, Indiana, Kentaki, Mein, Nju Jork, Tenesi, Vermont dhe Virxhinia. Procesi do të përfundojë 14 orë më vonë kur qendra e fundit të mbyllet në Alaskë, në orën 00:00.

Në këto zgjedhje garohet për 435 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, për 37 vende nga 100 të Senatit, për 37 poste guvernatorësh nga 50 gjithësej dhe për legjislaturat e 46 shteteve.

Top Channel