Pakot-bombë, terroristët tentuan devijimin

02/11/2010 09:00

Një zyrtar amerikan ka deklaruar se disa pako të dyshimta të dërguara nga Jemeni janë lokalizuar në muajin shtator, gjë që konsiderohet si një devijim për mos zbulimin e pakove-bombë të javës së kaluar.

Dy ngarkesat e nisura nga Jemeni për në Cikago raportohet se përmbanin libra dhe materiale të tjera, por jo eksploziv.

Ideja ishte që të testohej se sa kohë do të duhej që pakot të arrinin në destinacionin e tyre, ka deklaruar zyrtari amerikan.

Javën e kaluar dy pako-bombë u gjetën në avione mallrash në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Dubai. Ato përmbanin eksploziv të tipit PETN, që ishte fshehur brenda një printeri.

Të dërguara nga Jemeni përmes shërbimeve UPS dhe FedEx, ato kishin si destinacion sinagogat në qytetin e Cikagos, në SHBA.

Hetuesit janë të bindur se dërgesa e parë me qëllim devijimi dhe dy pakot-bombë të fundjavës janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Top Channel