Ikona në ankand, shkelet ligji

20/10/2010 20:30

Vazhdojnë debatet lidhur me shitjen dy javë më parë të ikonës së Konstandin Shpatarakut gjatë një ankandi me qëllim bamirësie.

Ikona e shekullit të 18-të, që sipas burimeve zyrtare i përkiste koleksionit privat të piktorit Alush Shima, iu shit biznesmenit Hetem Ramadani për 75 mijë euro, por meqenëse ajo hyn në kategorinë e veprave të trashëgimisë kulturore të tundshme, sipas ligjit duhet të ishte e regjistruar pranë Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore.

Ky proçes nuk rezulton të jetë bërë, arsye kjo që ka ngritur dyshime për origjinën e disponimit të ikonës.

Një tjetër fakt i kontestuar, është ai se ikona i është shitur një personi që nuk jeton në Shqipëri. Në bazë të ligjit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, neni 9, shitjet e objekteve kulturore me vlera të veçanta, si ikona në fjalë, shiten, blihen, lihen trashëgimi ose dhurohen ndërmjet shtetasve shqiptarë që jetojnë brenda vendit.

Për vlerësimin e objekteve në pronësi private të trashëgimisë kulturore të luajtshme, që nxirren jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, ngrihet një komision i përhershëm me ekspertë nga institucionet e specializuara shkencore, i cili, në përfundim të vlerësimit të objekteve, i rekomandon Ministrit të Kulturës lëshimin ose jo te autorizimit për nxjerrjen e këtyre objekteve jashtë territorit të vendit.

Forumi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore ka reaguar, duke i kërkuar Ministrit të Kulturës, Xhaferaj për zbardhjen e situatës dhe vënien para përgjegjësive të personave të përfshirë në këtë ngjarje.

“Ministri i Kulturës ka detyrim shtetëror të na informojë se çfarë ndodhi me këtë vepër të artit shqiptar”, është shprehur Maks Velo, anëtar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

MTKRS ka reaguar duke bërë distancimin e përfshirjes në shitjen e një objekti, sipas saj privat. Por ka pohuar se i ka kërkuar Alush Shimës, që të bëjë regjistrimin e ikonës pranë Qendrës së Inventarizimit dhe ka siguruar se ajo gjendet ende në Shqipëri.

“Pasi kam thirrur drejtorin e galerisë ai më tha se vepra është një pronë familare. Vepra është ende në dorë të pronarit”, deklaroi Xhaferaj.

Pas regjistrimit të ikonës në fjalë pranë Qendrës së Inventarizimit, gjë që nga burimet zyrtare bëhet e ditur se do të ndodhë, për këtë rast, ka edhe një tjetër hap për t’u ndjekur.

Në bazë të ligjit, shteti shqiptar gëzon të drejtën e parablerjes se objekteve me vlera të veçanta kombëtare dhe unikale të trashëgimisë kulturore, që ndodhen në pronësi private.

Çdo pronar që dëshiron të shesë një objekt të trashëgimisë kulturore, është i detyruar të paraqesë në MTKRS pasaportën e objektit. Ministria pas këshillimit me organet e specializuara sipas fushave përkatëse, i kthen përgjigje pronarit te objektit brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës.

Nëse ajo është e interesuar për blerjen e këtij objekti, fillon procedurën e vlerësimit. Në rast të kundërt, pronari ka të drejtë të bëjë shitjen, duke i bashkëlidhur dokumentacionit të objektit mendimin me shkrim të institucionit që ka bërë vlerësimin e tij.

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë, nisur nga ky rast, bëri thirrje edhe për hartimin e një ligji për ankandet, ide për të cilën MTKRS u tregua e gatshme për t’a marrë në konsideratë.

Top Channel