Rusi-Venezuelë, gati bashkëpunimi nuklear

16/10/2010 03:50

Rusia dhe Venezuela nënshkruan një marrëveshje dypalëshe në të cilën Moska zotohet për ndërtimin e një centrali bërthamor në shtetin amerikano-latin.

Sipas marrëveshjes Rusia do të ndihmojë Venezuelën në ndërtimin e një stacioni bërthamor të aftë për prodhimin e izotopeve për qëllime paqësore në industri dhe mjekësi.

Marrëveshja u nënshkrua formalisht nga presidenti rus, Dmitri Medvedev dhe ai venezuelian, Hugo Çavez, që ndodhet për një vizitë në Moskë. Palët kishin rënë dakort qysh në muajin prill për projektin e ndërtimit të centralit bërthamor, që mund të sjellë edhe reagimin e Uashingtonit.

Vetë presidenti rus në deklaratën e tij për mediat pas firmosjes së marrëveshjes, i parapriu kësaj çështje.

“Nuk e kam idenë se kush mund të trembet nga ky lajm. Presidenti Çavez më tha se ka vende që mund të shfaqin ndjenja të tjera përballë kësaj marrëveshje, por mua më pëlqen të them se synimet tona janë absolutisht të sinqerta dhe të hapura”, u shpreh Medvedev në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun venezuelian.

Çavez në fjalën e tij tha se Venezuela synon zhvillimin e energjisë së pastër, si ajo nukleare, diellore dhe ajo e erës, që mbeten edhe prioritet globale.

Bashkëpunimi mes Karakasit dhe Moskës është intensifikuar ndjeshëm në vitet e fundit. Vetëm brenda 2009-ës palët kanë nënshkruar disa marrëveshje të rëndësishme në fushën ushtarake dhe ekonomike, ku përmenden blerja prej Venezuelës e disa raketave kundër-ajrore ruse, si dhe kredia 2.2 miliard dollarëshe e Moskës për vendin latin.

Top Channel