Medvedev përcakton kryebashkiakun e Moskës

15/10/2010 23:00

Presidenti rus, Dmitri Medvedev emëroi 52 vjeçarin Sergei Sobianin si kryebashkiakun e ardhshëm të Moskës.

“Kam vendosur të paraqes kandidaturën tuaj për Bashkinë e Moskës”, iu drejtua Medvedev- Sobjaninit gjatë një takimi në Gorki, në periferi të Moskës.

Ai do të zëvendësojë në këtë post Juri Luzhkov, i cili u shkarkua muajin e kaluar nga Medvedev me argumentin se presidenti rus kish humbur besimin tek ai. Luzhkov së bashku me të shoqen, miliarderen Jelena Baturina akuzohen për korrupsion.

Sobjanin pritet të miratohet nga deputetët, por nuk pritet të ketë kundërshtime, pasi pjesa më e madhe e ligjvënësve janë anëtarë të partisë “Rusia e Bashkuar”, pro Kremlinit.

Sobianin, dikur guvernatori i rajonit të Tjumen Oblastit, u vendos në Moskë në vitin 2005 dhe më pas mori detyrën e shefit të kabinetit të presidentit Putin. Në vitin 2008, ai drejtoi fushatën e presidentit aktual, Dmitri Medvedev. Më pas ai iu bashkua ekipit të kryeministrit rus, Vladimir Putin.

Zgjedhja e tij në këtë post shihet nga analistët si një mënyrë për të forcuar pozitat e Putin në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012-ës.

Top Channel