Karzai shpërthen në lot gjatë fjalimit

28/09/2010 12:45

Presidenti afgan Hamid Karzai ka shpërthyer në lot gjatë një fjalimi drejtuar shkollave të mesme, ku ai është ankuar për problemet që përbëjnë një plagë për popullin e Afganistanit.

Në fjalimin televiziv drejtuar mësuesve dhe nxënësve, Karzai tha se ka frikë se lufta mund të detyrojë djalin e tij të vogël që të braktisë atdheun.

Ai ka shprehur shqetësimin se fëmijët afganë dhe mësuesit kanë frikë të shkojnë në shkollë për shkak të bombave dhe kërcënimeve.

Më herët, një atentat vetëvrasës i mori jetën zëvendësguvernatorit të provincës së Ghaznit, djalit të tij dhe truprojave.

Fjalimi i Karzait kishte si qëllim promovimin e arsimit në vend, ku një në katër persona mendohet se është analfabet.

Presidenti afgan shpërtheu së qari kur tha se do që populli i vendit të tij të arsimohet dhe të jetë i vetëkënaqur.

Top Channel