Berluskoni drejt votëbesimit

28/09/2010 21:15

Qeveria Berlusconi do të kërkojë votbesimin e Dhomës së Deputetëve për çka do të bëjë të ditur në fjalimin që do të mbajë kryeministri italian mëngjesin e së mërkurës.

Ende nuk thuhet se për çfarë kërkohet votbesimi, madje disa media kanë shkruar se Berlusconi e ka “blinduar” fjalimin deri në mbajtjen e tij.

Ka gjasa që të jetë një dokument që përmban pesë pika programuese, të shpallura nga vetë ai para disa javësh, por mbetet ende për t’u parë nëse bëhet fjalë për këtë.

Arsyetimi i vendimit të Berlusconit, është se në këtë fazë duhet bërë një zgjedhje që ka të bëjë me qartësinë e situatës politike, gjë që shkon përtej nevojës për të patur një numër të madh vendesh në parlament.

Votat e 34 deputetëve finianë do të çonin padyshim në favor të qeverisë Berlusconi rezultatin përfundimtar, i cili për të qenë pozitiv për besimin, kërkon të paktën 316 vota.

Grupi i finianëve është shprehur se vendimin do t’a marrë pasi të dëgjojë fjalimin e kryeministrit.

Finianët theksojnë se do të votojnë vetëm pikat që përmbahen në programin e qeverisë, por nëse vendosen gjëra që janë jashtë këtij programi, ata nuk do të votojnë, pasi sipas tyre besimi nuk është për kryeministrin, por për programin.

Prej kohësh Berlusconi kishte deklaruar se do të kërkonte besimin për qeverinë e tij për pesë pika programi, të cilat janë: Federalizmi fiskal, sistemi fiskal, jugu i Italisë, drejtësia dhe siguria.

Asokohe, votbesimi për pesë pikat, për mediat e majta italiane tingëlloi thuajse një ultimatum për “rebelët” e Qendrës së Djathtë.

Në fakt, në gusht kryeministri Berlusconi deklaroi se nëse nuk kishte një mazhorancë koherente dhe të përshtashme, do të ishte më mirë që të shkohej në zgjedhje të reja që në dhjetor.

Gjithçka mbetet për t’u qartësuar, ashtu sikurse kërkon vetë Berlusconi, në 29 shtator, datë që përkon edhe me ditën e lindjes së tij.

Top Channel