Berluskoni këshillon të rinjtë: Gjeni partnerë pasanikë

14/09/2010 03:20

Aspak i huaj me polemikat, kryeministri italian, Silvio Berluskoni ka ndarë sërish me publikun sensin e tij të humorit.

Ndërsa i drejtohej një grupi anëtarësh të qendrës së djathtë, shefit të ekzekutivit iu drejtua një pyetje mbi papunësinë tek të rinjtë. Ai i jep të njëjtën këshillë që pat ofruar gjatë fushatës elektorale.

“Një vajzë e bukur më pyeti se çfarë duhet të bënte për të gjetur punë. E vura re që ishte e pashme dhe i thashë: të sugjeroj të kërkosh një partner të pasur”, tha Berluskoni.

Kryeministri vazhdoi më tej batutën duk shtuar se një gjë e tillë ishte e vlefshme edhe për meshkujt.

“Nuk ishte aspak një këshillë jorealiste, dhe ua përsëris të gjithëve ju, vajzave dhe djemve gjithashtu dhe tek këta të fundit e kam fjalën që të gjejnë një të dashur pasanike. Ta sqarojmë mirë këtë pikë, përndryshe nesër titulli kryesor i La Repubblica-s do të jetë: Berluskoni është bërë gay”, vazhdoi më tej kavalieri.

Kjo është e fundit e një serie gafash të Berluskonit të cilat nuk harrohen lehtë dhe që e kanë shndërruar atë në një magnet polemikash nga shtypi.

Top Channel