Itali, Berlusconi ndahet me Fini-n

30/07/2010 18:55

Kryeministri italian Silvio Berlusconi insiston se koalicioni i tij i djathtë do të mbijetojë pavarësisht ndarjes me bashkëthemeluesin e partisë, Gianfranco Fini.

Fini ka refuzuar thirrjet e kryeministrit dhe aleatëve të tij në koalicionin Populli i Lirisë për t’u tërhequr nga posti i kryetarit të dhomës së ulët të Parlamentit. Ata e akuzojnë atë për mospërputhje të qëndrimeve.

Ndërkohë, disa deputetë, besnikë të zotit Fini, thanë se nuk e shohin më veten e tyre si anëtarë të PL-së.

Megjithatë, Berlusconi shprehet optimist. “Nuk ka asnjë rrezik. Ne kemi shumicën”, ka deklaruar ai.

Fini është përplasur me kryeministrin Berlusconi për cështje morale dhe legale në politikë.

Fini ka deklaruar se politikanët e implikuar në cështje gjyqësore duhet të dorëhiqen dhe i ka kërkuar kreut të qeverisë që të tërheqë ligjin që ndalon mediat në publikimin e përgjimeve telefonike.

Top Channel