Avioni me spiunët rusë ulet në Vjenë

09/07/2010 12:00

Një avion me në bord 10 agjentët rusë është ulur në aeroportin e kryeqytetit austriak, Vjenë, në kuadër të marrëveshjes së shkëmbimit të spiunëve mes SHBA dhe Rusisë.

Agjentët rusë, pesë burra dhe pesë gra, u dëbuan më herët nga Shtetet e Bashkuara pasi pranuan në gjykatë se kishin spiunuar në favor të një vendi tjetër.

Nga ana tjetër, presidenti rus Dmitri Medvedev ka falur katër persona të dënuar për spiunazh në favor të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.

Sipas mediave ndërkombëtare, në aeroportin e Vjenës është ulur edhe një avion rus, pothuajse në të njëjtën kohë me atë amerikan që erdhi nga Nju Jorku.

Korrespondentja e BBC në Austri, Bethany Bell tha se ende nuk ka një informacion zyrtar se si do të kryhet shkëmbimi, por në të kaluarën palë të treta janë përdorur në procese të tilla.

Top Channel