Sonda me kampionët e asteroidit ulet në tokë

14/06/2010 10:40

Ulet në Tokë pas 7 vitesh udhëtimi në hapësirë, sonda japoneze “Hayabusa”, e cila nuk është gjetur ende nga shkencëtarët.

Kjo sondë ka arritur të marrë nga trupi qiellor “Itokawa” një sasi rëre që do të studiohet për të mësuar më shumë rreth trupave qiellorë. Ky është një sukses i madh për astronominë, pasi është hera e parë që një sondë arrin të shkëpusë materiale nga një asteroid.

Mendohet se sonda është ulur në zonën e Australisë dhe do të nevojiten shumë orë kërkime për ta gjetur. “Hayabusa” peshon 510 kg dhe u lëshua në hapësirë në 9 maj 2003 nga qëndra hapësinore e Kagoshimas. Objektivi i saj ishte eksperimentimi i teknologjive të reja ionike në sistemin diellor dhe marrja e kampioneve nga trupat jo tokësorë.

Asteroidi “Itokawa” u arrit nga sonda në vitin 2005, e cila realizoi edhe 1600 fotografi. Rikthimi i sondës nisi në vitin 2007 por kaloi nëpër shumë peripeci për shkak të problemeve me 4 motorët ionikë dhe 3 xhiroskopët. “Hayabusa” ka udhëtuar rreth 2 miliardë km për t’u ulur në Woomera Test Range në jug të Australisë.

Top Channel