Protesta në Itali e Gjermani

13/06/2010 19:15

Paketa anti-krizë e qeverisë italiane kanë nxjerrë me mijëra vetë në protestë në Romë.

Krerët e sindikatës organizuese të tubimit i konsiderojnë josociale masat, që sipas tyre godasin fort punëtorët e thjeshtë dhe kursejnë të pasurit.

“Gjithçka rëndon mbi shpatullat tona”, ishte slogani që përsërisnin protestuesit. Njëri prej tyre it ha agjencisë Reuters se e gjithë Italia duhet të ngrihet në këmbë kundër shkurtimeve të propozuara.

Kabineti Berluskoni miratoi në muajin maj paketën për konsolidimin e buxhetit ku parashikohet kursimi i 24 miliard eurove. Masat parashikojnë një ngrirje të rrogave për punonjësit e administratës shtetërore dhe shkurtime fondesh për pushtetin lokal.

Kritika dhe protesta ka sjellë edhe paketa gjermane e kursimeve. Mijëra vetë dolën në rrugët e Berlinit dhe të Shtutgartit dhe protestat nuk ishin aq paqësore sa në Romë. Përleshje shpërthyen mes demonstruesve dhe forcave të rendit. Dy policë në Berlin u plagosën rëndë dhe 7 protestues përfunduan në pranga.

Protesat u organizuan nga lidhja “Nuk paguajmë për krizën tuaj”, që përbëhet nga më shumë se 100 organizata dhe iniciativa të ndryshme.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel reagoi duke thënë se paketa e kursimeve është e domosdoshme dhe se reduktimi i asistencës sociale për të papunët do të ndihmojë në riangazhimin e atyre që kanë vite pa punë.

Top Channel