Mira Muça është 35 vjeç. Ajo po përgatitet të nisë këtë mëngjes një nga punët më të vështira dhe më të rënda dhe më të përgjakshme që mund të kryejë një njeri. Kjo grua është një kasape, një therrëse profesioniste e kafshëve, mishi i të cilave tregtohet nga vetë ajo për konsumatorët.

“Unë kam 11 vjet që punoj. I kam hyrë kësaj pune së duhet të jem e pavarur. Dua të jem në punën time. Në fillim më është dukur punë e rëndë, por tani jam mësuar. Arrij t’i bëj të gjitha”, tregon Mira.

Kasapja ngjall habinë e shumë njerëzve që e ndeshin me hanxhar në dorë. Disa e admirojnë për punën që bën, madje shprehin habinë se si krahët e saj pak muskuloz arrin të bëjë një punë që kërkon fizikun e një mashkulli.

“Këtë punë e bën më së miri, plus është edhe një shitëse mikëpritëse”, shprehet një prej klientëve të saj.

Qerimi bashkëshorti i kasapes, i cili ndan këtë punë të përditshme me të, thotë se e konsideron normale zanatin e Mirës. Edhe pse ajo është eksperte për përdorimin e thikës, për Qerimin nuk ka asgjë për t’u frikësuar.

“Nga që jemi të dy në të njëjtin profesion, për mua nuk është fare e frikshme. Ajo ka punën e atillë, por si tip është e qetë”, thotë Qerimi.

Nëse gërshëra apo gjilpëra janë mjete që tipizojnë profesione femërore, kjo grua që kalon gjithë ditën me hanxhar në dorë ka shembur këto klishe. Çdo ditë ajo i bën sfidë paragjykimeve dhe shikimeve të habitura.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel