Fenomeni “Fritzl” edhe në Brazil

10/06/2010 23:45

Fenomeni “Fritzl” po zgjeron gjeografinë e tij gjithmonë e më shumë. Pas rastit të “babait monstruoz” në Austri, një tjetër krim i ngjashëm zbulohet në Brazil.

Policia braziliane ka ndaluar 54 vjeçarin Hose Agostinjo Pereira me profesion peshkatar i cili akuzohet se për 12 vjet me radhë ka abuzuar seksualisht me vajzën e tij duke u bërë edhe babai i 7 fëmijëve të saj. Por horrori nuk mbaron me kaq, 54 vjeçari akuzohet se ka abuzuar gjithashtu edhe me një nga vajzat-mbesa të tij.

Gjithçka ka ndodhur në një ishull të izoluar të shtetit të Maranaos, ku e bija e babait monstruoz, tashmë 28 vjeç mbahej e burgosur në një barakë në mes të xhunglës, ku i vetmi mjet për të mbërritur atje ishte kanoa.

Sipas hetuesve, të cilët zbuluan historinë e tmerrshme, dhuna seksuale ka nisur në vitin 1998, vit në të cilin gruaja e Pereiras është larguar nga shtëpia duke e braktisur atë. Nga inçesti kanë lindur 7 fëmijë, tre meshkuj dhe 4 femra të moshës nga 2 muajsh deri në 12 vjeç.

Hoze Agostinjo Pereira është prangosur, por ai ende nuk është akuzuar formalisht pasi sipas ligjit brazilian nuk mund të kryhet denoncim pa mbaruar hetimet.

Top Channel