“Leje lindje” për burrat familjarë

09/06/2010 08:20

Profesionet e vështira, shëndeti, siguria, si dhe barazia gjinore në marrëdhëniet e punës, ishin disa nga temat që u diskutuan dje në Ministrinë e Shanseve të Barabarta gjatë një takimi me Këshillin Kombëtar të Punës.

Qëllimi i kësaj mbledhjeje ishte analiza e rolit që po kryen Inspektorati Shtetëror i Punës, pas hyrjes në fuqi të ligjit mbi barazinë gjinore dhe profesionet e vështira në Shqipëri, si dhe zbatimi i këtij të fundit.

“Shëndeti dhe siguria në punë luajnë rol jetik në rritjen e konkurrueshmërisë, produktivitetit në ndërmarrje dhe kontribuon në sistemet e mbrojtjes sociale, sepse rezulton në reduktim kostosh për aksidentet, incidentet dhe sëmundjet në punë, por rrit edhe motivimin e punonjësve”, tha kryeinspektori i Inspektoratit për Zbatimin e Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, Vikrita Çuto.

Sipas saj, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë progres në drejtim të forcimit të kontrollit për sigurinë dhe shëndetin në punë. Ajo veçoi sidomos rritjen e numrit të inspektimeve në vitin 2009, krahasuar me 2008-n me 1304 më shumë. Ajo çka u nënvizua gjatë këtij takimi ishte ndërgjegjësimi i sipërmarrjes, dhe kjo sipas tyre është reflektuar sidomos në 3-mujorin e parë të vitit 2010, ku numri i mjekëve të ndërmarrjeve u rrit me 30 për qind.

Nga ana tjetër, drejtoresha e Politikave të Shanseve të Barabarta në Ministrinë e Punës, Alma Marku, tha se përfaqësimi i grave në marrëdhëniet e punës është ende problematik dhe se ende gratë ndjehen të diskriminuara në pagë, në krahasim me burrat. Sipas anketës së forcave të punës INSTAT 2008, rezulton se raporti i diferencës në pagë të femrave me meshkujt është 19,15%, pasi pozicionet drejtuese dominohen nga meshkujt dhe shpërblimet që ata marrin janë shumë më të larta se të grave”, theksoi Marku.

Gjatë mbledhjes u paraqitën edhe disa rekomandime, të cilat kishin të bënin me hartimin e rregulloreve të ndërmarrjeve lidhur me trajtimin e çështjeve të ngacmimit seksual në marrëdhëniet e punës, ndërhyrjen në legjislacionin e punës për kombinimin e përgjegjësive familjare, si oraret fleksibël për punonjësit me përgjegjësi familjare dhe leja prindërore për baballarët.

Duke iu përgjigjur interesit të përfaqësuesve të punëmarrësve, zv/ministri Neritan Alibali, i njohu ata me procesin e hartimit të draft-ligjit për profesionet e vështira. Ai i siguroi se draft-ligji ka përfunduar dhe është dorëzuar për miratim në Këshillin e Ministrave dhe në të janë pasqyruar edhe kërkesat e sindikatave. Punëdhënësit pjesëmarrës në këtë aktivitet kërkuan që aktet nënligjore, që po përgatiten në zbatim të ligjit, para se të kalojnë për miratim në Këshillin e Ministrave, të konsultohen me grupet e interesit.

Ata madje sugjeruan që puna e tyre të fillojë paralelisht me përgatitjen e manualeve teknike për marrjen e masave të sigurimit teknik për degë të veçanta të ekonomisë. Bazuar në këtë kërkesë, mbledhja shtyu për rishikim rregulloren e re të Këshillit Kombëtar të Punës, me qëllim konsultimin me përfaqësuesit e punëmarrësve dhe punëdhënësve. Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Punës u thërrit dje nga ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera.  

Top Channel