Berisha: S’ka asnjë draft-kompromisi

15/05/2010 13:40

Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot se në tryezën e tij nuk ka asnjë draft, pakt apo dokument nga ndonjë institucion perëndimor për situatën politike në Shqipëri.

Shefi i qeverisë, në një konferencë për media, pas kthimit nga Kroacia, theksoi se Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se cështja duhet zgjidhur nga politika shqiptare, duke kujtuar se zbatimi i mekanizmave të shtetit ligjor do të zgjidhin cdo lloj situate.

“Gjithcka tjetër është gënjeshtër e bazuar mbi mashtrimin dhe trillimin”, u shpreh Berisha, ndërsa nuk pranoi që të komentonte deklaratën e një ditë më parë dhënë nga ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Robert Bosch.

Berisha ftoi liderin socialist Edi Rama që të pranojë zgjidhjen e ofruar nga byroja parlamentare e Këshillit të Evropës, pasi deklarata ofron mundësitë për transparencën më të madhe.

Shefi i qeverisë i kërkoi Ramës që për kërkesën e tij t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e cila nga ana e saj mund të kërkojë opinionin për qëndrimin e dhënë.

“Unë mbetem i hapur për dialog dhe jam i gatshëm të zbatoj me përpikmëri të gjitha detyrimet tona në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën për dhënien fund të kësaj situate, sikundër respektoj kampingun e ngritur ne dyert e kryeministrisë”, u shpreh Berisha, duke theksuar se nuk do të lejohet bllokimi i trafikut në akset nacionale.

Ashtu si edhe më parë, Berisha i bëri apel Ramës që të lejojë hyrjen e ekipeve shëndetësore zyrtare, për të ekzaminuar cdo grevist.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA