BSH: Kriza shtoi papunësinë

10/05/2010 08:15

Punësimi gjatë  tremujorit të katërt të vitit 2009 ka ardhur në rënie, duke reflektuar tkurrjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Ky është konkluzioni i Bankës së Shqipërisë dhënë në raportin e Politikës Monetare për tremujorin e parë të këtij viti.

“Numri i të punësuarve në sektorin shtetëror dhe privat jobujqësor shënoi rënie vjetore prej rreth 0.6 përqindësh në këtë tremujor. Të punësuarit në sektorin shtetëror regjistruan një tkurrje vjetore më të lehtë, me 0.2 për qind gjatë këtij tremujori”, deklaroi Banka e Shqipërisë. Sipas saj, tkurrja ekonomike në tremujorin e fundit të vitit u reflektua në rënien e punësimit.

Reduktimi i kërkesës agregate dhe niveli i ulët i normës së shfrytëzimit të kapaciteteve vlerësohet të kenë ndikuar në uljen e kërkesës së bizneseve për punësim. Zgjerimi i hendekut midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës është pasqyruar në prirjen rritëse të normës së papunësisë, duke krijuar kushte për presione të dobëta për rritjen e pagave.

Si rezultat, kostoja për njësi të prodhuar ka ngadalësuar ritmet e rritjes, duke gjeneruar presione të dobëta inflacioniste. Çmimet e prodhimit në tregun e brendshëm ruajtën të njëjtat nivele me vitin 2008, nën ndikimin e ngadalësimit të kërkesës agregate në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA