Tatimet, verifikim çdo rezultati në bilanc

21/03/2010 08:45

Viti 2009 rezulton të ketë qenë i vështirë për bizneset në vend, aq sa edhe tatimet u druhen bilanceve me rënie të xhiros dhe mungese të ardhurash.

Kur kishin mbetur 20 ditë nga skadimi i afatit për dorëzimin e bilanceve vjetore të 2009-s, kreu i tatimeve, Artur Papajani, lëshon një udhëzim për drejtorët në rrethe, duke u kërkuar atyre kujdes të madh në verifikimin e të dhënave. Pritshmëria se në bilance do të gjejnë rënie kolosale të të ardhurave të biznesit, reduktimin të aktivitetit dhe më e frikshmja, humbje të biznesit, tatimet kanë marrë masa paraprake që të mos abuzohet me idenë e krizës ekonomike nga ana e privatit. Ndër të rralla raste kur drejtuesit e tatimeve lëshojnë udhëzime në prag të përfundimit të periudhës kur dorëzohen bilancet, nisja e verifikimit lidhet më së shumti me shqetësimin e rezultateve negative, për shkak të krizës ekonomike. Udhëzimi është lëshuar më 9 mars, brenda të cilit janë specifikuar fushat ku duhet pasur me verifikimin e bilanceve.

Ku duhet verifikuar

Udhëzimi përmban disa pika, përmes të cilave drejtori Papajani kërkon kujdes nga degët në rrethe gjatë verifikimit të bilanceve vjetore ekonomike-financiare të vitit 2009. Në pikën 3 të udhëzimit, Drejtoria e Përpunimit dhe Kontabilitetit të të Ardhurave duhet t’i kushtojë vëmendje verifikimit të pasqyrës së të ardhurave dhe shpenzimeve, duke trajtuar me përgjegjësi elementet si “Vlerësimi dhe analiza formale e shpenzimeve për materialet e lëndët e para të konsumuara, pagave, sigurimeve shoqërore e shëndetësore, duke i krahasuar ato me dokumentacionin bashkëlidhur pasqyrave financiare dhe situatën financiare të deklaruar gjatë vitit 2009”, thuhej në udhëzim. Po ashtu, duhet pasur kujdes ndaj ndryshimit të gjendjes së inventarit të produkteve të gatshme dhe prodhimit në proces, i cili duhet të reflektohet drejt në të ardhurat e njësisë ekonomike sipas rastit, duke pakësuar këto të ardhura kur kemi të bëjmë me pakësim të inventarit, apo rritje të ardhurash kur kemi të bëjmë me shtim inventari(+-). “Të kontrollohen e krahasohen me kërkesat e ligjit normat e amortizimit të llogaritur, në përputhje me kërkesat e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, si dhe të analizohen shumat e parashikuara për rreziqe (provigjione) afatshkurtra dhe afatgjata, duke kontrolluar nëse janë zbatuar drejt konform ligjit”, theksohet në udhëzimin e lëshuar së fundmi.

Të analizohen fitimet

Padyshim që fokusi kryesor në trajtimin e bilancit do të jetë fitimi i biznesit, të ardhurat dhe shpërndarja e tyre. “Të bëhen verifikimet nëse janë pasqyruar saktë rivlerësimet e ndryshme që janë bërë nga subjektet tatimpagues për aktivet afatgjatë materiale dhe aktivet afatgjatë jo materiale gjatë vitit 2009 dhe nëse ka, a janë llogaritur saktë amortizimet e tyre sipas ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”. Të analizohet me kujdes zëri “Fitimet e pashpërndara”, duke vepruar sipas nenit 33/1 të ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar”, thuhet në pikat e tjera të udhëzimit. Në fund të udhëzimit kreu i Tatimeve lë dhe porosinë që, drejtorët e drejtorive të Menaxhimit të të Ardhurave të marrin masat e duhura për zbatimin e detyrave të mësipërme. “Për shkeljet që do të konstatohen, si dhe për moszbatimin e orientimeve të këtij udhëzuesi, personat përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi administrative”, përfundon shkresa e datës 9 mars 2010.

Udhëzimi çorienton kontabilistët  

Natyrshëm që një udhëzim i ri për pasqyrat dhe bilancet financiare që duhet të dorëzohet brenda datës 31 mars, ka çorientuar kontabilistët. Ata janë njohur me shkresën këto ditë dhe mendojnë se ndryshimet e fundit nuk japin shumë kohë për t’iu përmbajtur udhëzimeve. Urdhri i lëshuar në datë 9 mars, pra 20 ditë para skadimit të aftit, e bën punën e tyre të vështirë, por jo të pamundur. “Nuk jemi kundër procedurave të reja që jepen në udhëzim, por problemi qëndron te koha e shkurtër”, thotë një kontabilist. Por drejtori Papajani, në shkresën që sqaron udhëzimin, sqaron që në fillim se “udhëzuesi nuk zëvendëson manualin apo detyrat funksionale të inspektorëve të DPMA-së, por shërben për t’i orientuar ata në punën e tyre dhe përmirësimin e detyrave funksionale që mbulojnë”.

Top Channel