Robinsonet e fundit te fshatit Derje

28/10/2009 19:50

A mundet nje njeri te jetoje ne vetmi te plote? Ne kushtet e izolimit me te thelle, pa asnje komshi prane, pa asnje te aferm, pa mehalle dhe per me keq pa asnje banor me te cilin mund te shkembejne qofte edhe nje pershendetje te ftohte?

Ne nje shoqeri te vrullshme dhe pa intimitet si kjo ku jetojme, eshte e veshtire te imagjinohet nje skenar i tille. E megjithate, jo larg nga zhurma, kaosi dhe Tirana e qindra mijera banoreve, jeton nje cift robinsonesh.

Ata jane Qemal dhe Aishe Murataj. Burre e grua jetojne fillikat te vetem. Ne malesine e Tiranes ata kane nje fshat te gjithin per vete.

Ky fshat quhet Derje. Aty, ku dikur gjallonte jeta e mbi 300 banoreve te tij, duket sikur koha ka ngrire ne vend.

Nje legjende thote se ne fillim te shekullit te 19-te, derjanet i kerkuan te pareve te Tiranes qe fshati i tyre te ishte kryeqender e zones. Ata insistuan qe pazari i Tiranes, te vinte prane fshatit ku ata banonin.

Ironia e hidhur e se kaluares, dhemb fort sot ne 2009-en. Derja tani nuk mund te quhet me as fshat. Braktisja masive, migracioni i brendshem dhe harresa e kane gjunjezuar kete vendbanim.

Aty ka shkolle, por nuk ka nxenes, ka institucione kulti, por nuk ka besimtare, ka ambulance, por nuk ka mjeke. Te gjithe kane ikur. Shkretimi mbreteron kudo.

“Ketu ka qene shkolla 8 vjecare dhe e mesme. Ka 8 vjet qe eshte mbyllur”, rrefehet Qemali duke treguar godinat e rrenuara.

Historia e Qemalit me Aishen eshte po aq tragjike sa edhe ajo e vete fshatit ku jetojne. Cifti i bashkeshorteve ka humbur dy djemte e vetem qe kishin.

“Qe nga ajo kohe kam ngelur vetem dhe rri ketu”, shprehet Qemali me lote ne sy. “Jeta pa femije qenka shume e veshtire”, shton ai.

Jetesa ne vetmi per keta njerez nuk eshte e lehte. Dita ne fshatin Derje eshte e merzitshme. Qemali zbret shume rralle ne kryeqytet. Shtegu malor qe lidh fshatin Derje me rrugen kryesore, eshte afro dy ore ne kembe.

“Jeta ketu eshte shume e veshtire. Shteti nuk kujdeset fare per ne”, thote ai me keqardhje.

Qemali dhe Aishja nuk kane me fuqi te punojne. Ne heshtje, ata numerojne ditet qe u kane mbetur. Teksa shohin ngadale agonine e fshatit te tyre ata duket sikur e ndjejne. Dita e tyre e fundit, do te jete edhe fundi i ketij fshati.

“Derisa te jemi gjalle ketu do te rrime. Lus veten qe deri atehere te mos kemi ndonje fatkeqesi tjeter”, thote Qemali.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel