Kittel fiton etapën e 11 të Turit të Francës

13/07/2017 00:00

Marcel Kittel shkëlqen sërish në Turin e Francës. Çiklisti gjerman i Quick Step përsëriti suksesin e një dite më parë, teksa fitoi edhe etapën e 11 të këtij aktiviteti, për të shënuar suksesin e 5 në edicionin aktual të Turit.

Kittel mundi në sprintin final Groenewegen dhe Boasson Hagan, të renditur respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë.

Arratia e parë e kësaj etape pa si protagonistë Marcaton, Bodnar dhe Backaert, të cilët pas 50 km të para krijuan një diferencë prej 4 minutash me pjesën tjetër të çiklistëve, ndërkohë që nuk munguan incidentet. 100 km nga fundi i etapës, disa garues u rrëzuan dhe mes tyre ishin edhe Bardet e Alberto Contador.

Ndërkaq, në 15 km e fundit të etapës, Bodnar u shkëput nga të tjerët, por që nuk zgjati shumë. Në kilometrin e fundit u shfaqën specialistët e sprintit final. Groenewege sulmoi i pari, por u dorëzua përballë njeriut të momentit, Marcel Kittel, i cili e kundërsulmoi holandezin duke kaluar i pari vijën e finishit.

Renditja e përgjithshme e Turit të Francës nuk ka ndryshime. Në krye është ende Chris Froome me 47 orë, 1 minutë e 55 sekonda, i ndjekur nga Fabio Aru me 18 sekonda, ndërkohë që në vendin e tretë vazhdon të jetë Bardet, pavarësisht rrëzimit të tij, me 51 sekonda më shumë se Froome.

Top Channel