“Ganiu” bëhet Gianni: Iki që sot

14/06/2017 11:10

E nisi gati 6 vite më parë me një letër dhe e mbylli po me një letër. Por kësaj radhe duke e lexuar vet.

“Që sot nuk do të jem më trajner i Kombëtares shqiptare. Besoj se e përmbusha detyrën time. Pas Europianit isha vendosmërisht i bindur që mund të përmirësonim më tej dhe se përvoja që patëm gjatë 3 ndeshjeve në Francë do të na lejonte një rritje të mëtejshme globale. Dhe kështu do të jetë, por me një trajner të ri”, shkruan De Biasi.

E vetmja fjali e ngjashme me atë të një dite më parë e De Biasit, ishte ajo që konfirmonte ofertat që ai kishte pasur në të shkuarën.

“E lë Shqipërinë pa pasur një ekip tjetër. U rezistova shumë ofertave”, thotë më tej De Biasi.

Por përtej emocioneve, duket se largimi i menjëhershëm lidhet pikërisht me sezonin e merkatos dhe De Biasi, misioni i të cilit shihej i përfunduar me Kombëtaren, ka kërkuar të jetë i lirë për ofertat e mundshme që mund t’i vinin.

Përtej përqafimit publik me Armando Dukën dhe zbutjes emocionale, duket se gjithçka është një shfaqje për të mbyllur gjithashtu në publik çarjen e madhe mes të dyve.

Pas konferencës për shtyp të së martës, De Biasi është takuar me Dukën në një drekë të gjatë, ku kanë rënë dakord për këtë zgjidhje që i përshtatej të dyve. Pjesë e marrëveshjes ishte edhe deklarimi publik i presidentit të Federatës, Duka, kundër largimit të De Biasit.

“Unë, ndryshe nga trajneri nuk mendoj se cikli ka përfunduar dhe këtë ia kam thënë trajnerit duke i kërkuar që të qëndrojë, por ai ishte i bindur se gjithçka është e ezauruar tashmë dhe më bindi më shumë se mund ta bindja unë atë për të qëndruar”, tha Armand Duka.

Tashmë kur divorci u bë zyrtar dhe De Biasi i drejtohet Rinasit për t’u kthyer në Shqipëri vetëm si turist, mbetet vetëm një e panjohur: emri i zëvendësuesit të tij në ndeshjen e 2 shtatorit në Shkodër, kundër Lihtenshtajnit.

Në lidhje me trajnerin e ri, Duka tha:

“Që sot do të nis të mendoj për pasardhësin. Opsionin e trajnerit shqiptar kurrë nuk e kam përjashtuar. Do të diskutoj me stafin teknik të Federatës dhe do të dalim me një qëndrim të pjekur se kush është më e mira për ekipin kombëtar. Nuk jam ende i vendosur për strategjinë që duhet të ndjekim për të ardhmen”.

FOTO GALERI
1/4
Gianni De Biasi njoftoi largimin që sot nga kombëtarja e futbollit të Shqipërisë

Top Channel