Finalja e Kupës, sot Skënderbeu-Tirana

31/05/2017 00:00

Futbolli shqiptar mbyll sot zyrtarisht sezonin 2016-2017, me finalen e Kupës së Shqipërisë. Në “Elbasan Arena” do të vihen përballë njëri-tjetrit, Skënderbeu dhe Tirana, dy skuadra që e shohin këtë finale si mundësinë e vetme për të mbyllur sezonin me një trofe.

Skënderbeu vjen në këtë ndeshje me zhgënjimin e humbjes së mundësisë për të fituar titullin kampion në javën e parafundit, ndërsa bardheblutë duan të lehtësojnë sadopak dhimbjen për rënien një kategori më poshtë, për herë të parë në histori, duke shpresuar në trofeun që mund t’i japë mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve në Europë.

Për korçarët, kjo është hera e pestë që luajnë finalen e këtij kompeticioni, ku do të kërkojnë suksesin e parë pas dështimeve në 4 tentativat e mëhershme. Në krahun tjetër është Tirana, që së bashku me Partizanin mban rekordin për trofetë e Kupës së Republikës, pasi e kanë fituar atë plot 15 herë në 23 finale të luajtura.

Përsa u përket përballjeve të drejtpërdrejta në një finale të Kupës së Shqipërisë, mes Skënderbeut dhe Tiranës, kjo e “Elbasan Arenës” do të jetë e treta, me Tiranën që ka triumfuar në dy takimet e para.

Fillimisht, Skënderbeu dhe Tirana kanë luajtur në finalen e sezonit 1975-1976 me sistemin vajtje-ardhje, me bardheblutë që fituan me rezultatin e përgjithshëm 4-1, ndërsa hera e dytë ishte sfida e përpara 5 viteve. Edhe në atë rast triumfoi Tirana, 1-0 pas kohës shtesë.

Ndërkohë, Policia e Elbasanit ka ndërmarrë masat e duhura për mbarëvajtjen e kësaj finaleje të Kupës së Shqipërisë. Do të jenë 222 punonjës policie të angazhuar për të ruajtur sigurinë, gjatë kohës që do të luhet kjo ndeshje, që ka një vlerë shumë të madhe për të dyja këto skuadra.

Vlen për t’u përmendur se, për herë të parë pas shumë ndeshjesh, në këtë takim do të rikthehen tifozët e Tiranës, për të mbështetur në përballjen e fundit skuadrën e tyre, e njëkohësisht për të protestuar ndaj presidentit Refik Halili.

Top Channel