Maratona në Polin e Veriut, triumfojnë Suchenia dhe Laurent

11/04/2017 00:00

Garën më të ftohtë të botës, maratonën e Polit të Veriut e fitoi polaku Piotr Suchenia. Kampi “Barneo” në Rusi, vendi ku u zhvillua beteja e konkurrentëve që nuk i tremben ngricës, ndodhet gati 49 kilometra nga çatia e globit.

Pjesët e tij janë krijuar pak nga pak çdo vit dhe sot, zona shërben si bazë për ekskursionet në zonë. Kampi është megjithatë në zhvendosje të vazhdueshme, pasi erërat e forta e shtyjnë drejt juglindjes me gati 0.8 km në orë.

Shenja dalluese janë vendosur në akull për garuesit, që duhet ta përshkojnë 10 herë distancën e 4.22 kilometrave në kushtet e një moti të acartë. Kjo sigurisht realizohet me ndalesa, gjatë të cilave vrapuesve u krijohet mundësia të ngrohin trupin e të hidratohen me lëngje të ngrohta.

Pjesëmarrësve, 54 nga 20 vende të botës, iu duhet të mbrojnë lëkurën nga i ftohti therës, prandaj veshjet e tyre përfshijnë kapuça që mbulojnë një pjesë të fytyrës, doreza, pantallona kundër ujit dhe disa shtresa veshjesh të brendshme “termale”.

Gara zhvillohet në temperatura -31 gradë Celsius. 37-vjeçari Suchenia vrapoi pa ndaluar në stacionet e rifreskimit, e kështu arriti të mundë dy atletët nepalezë, Samir Tamang dhe Bhim Gurung, duke mbërritur i pari në vijën e finishit me një kohë prej 4 orësh, 6 minutash e 34 sekondash. Garën e femrave e fitoi francezja Frederique Laurent, me 6 orë e 21 minuta.

Top Channel