Rusia akuzon rebelët për sulmin kimik. Mbledhje urgjente e KS

05/04/2017 00:00

Rusia pretendon se helmimi i dhjetëra vetëve në qytetin sirian të Khan Sheikhounit ishte pasojë e rrjedhjeve nga një depo armësh kimike të vet rebelëve, që ishte goditur prej avionëve të regjimit të Bashar al-Assadit.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian fajësuan qeverinë siriane për sulmin që la 72 të vdekur, përfshirë edhe 20 fëmijë. Por Moska nxjerr të tjera pretendime.

“Të martën, nga ora 11:30 deri në 12:30 me orën lokale, Forcat Ajrore siriane ndërmorën një sulm në periferinë lindore të qytetit Khan Sheikhoun, ku goditën një depo armësh të rebelëve. Aty ka pasur municione kimike të përdorura nga kryengritësit vitin e kaluar në Aleppo”, tha Igor Konoshenkov, zëdhënës i Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Simptomat e viktimave të këtij sulmi, nga sa shihet prej videove të hedhura në rrjetet sociale – vazhdon zëdhënësi, – janë të njëjta me ato të vëna re në Aleppo vjeshtën e një viti më parë.

Pamje rrënqethëse u përcollën një ditë më parë nga vendngjarja. Mjekët rrëfejnë sesi njerëzit ishin asfiksuar, kishin të vjella dhe u ra të fikët pak minuta pas sulmit.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së kërkoi një takim urgjent mbi ngjarjen, përgjegjësia kryesore e së cilës, sipas Federica Mogherinit duhet kërkuar te qeveria e pushtetmbajtësit Assad.

“Është detyrë e saj të mbrojë popullin e vet”, theksoi e ngarkuara me Politikën e Jashtme të BE-së. Shtëpia e Bardhë gjithashtu e drejtoi gishtin e fajit nga regjimi, “veprimet monstruoze” të të cilit, sipas saj, janë rezultat i “dobësisë” së treguar nga administrata e mëparshme e Barack Obamës.

Top Channel