Legjenda Raul rikthehet te Reali, në krah të Perezit

31/03/2017 00:00

Në fushë është një numër 7 që po e kalon nga java në javë përmes golave, por edhe në rangjet drejtuese te Reali i Madridit shtohet një emër që ngjall kërshëri te tifozët “merengues”. Në 7 vite distancë nga lamtumira e tij, Raul Gonzalez Blanco kthehet te skuadra kryeqytetase spanjolle.

Sulmuesi legjendar iberik do të jetë, që nga 1 korriku, asistenti i presidentit Florentino Perez. Sipas detajeve të zbuluara nga “Radio Onda Cero”, ish-bomberi i ofensivës madrilene, Raul do të zbarkojë në kryeqytet javën e ardhshme për të formalizuar akordin me klubin më të dashur të tij.

Me fanelën e Realit të Madridit, Raul Gonzalez Blanco fitoi 6 kampionate dhe plot 3 herë Champions League.

Sulmuesi i njohur shkroi faqe të tëra të historisë “merengues”, madje edhe sot mbetet futbollisti me më shumë përfaqësime me fanelën e ekipit mbretëror. Raul është gjithashtu shënuesi i dytë më i mirë i të gjitha kohërave te Reali, me 323 gola, i kaluar nga Cristiano Ronaldo.

Dy lojtarët qëndruan vetëm një sezon bashkë, para se Raul të vendoste të transferohej te Schalke 04, duke i lënë Ronaldos edhe fanellën, edhe një pjesë të historisë.

Top Channel