Zgjedhjet në Holandë, “barometri” për të tjerët në BE

15/03/2017 00:00

Votuesit në Holandë i janë drejtuar kutive të votimit në zgjedhjet e para tejet thelbësore të Eurozonës gjatë këtij viti.

Gara në Holandë dominohet nga kryeministri Mark Rute i partisë së qendrës së Djathtë VVD dhe rivali i tij Geert Wilders, i cili është paraqitur tek votuesit me platformën e tij antiemigracion.

Deri së fundmi, sondazhet tregonin se partia e lirisë e Gerd Wildeers udhëhiqte preferencat popullore, por duket se përballja diplomatike me Turqinë shkoi në favor të kryeministrit Rute duke ndryshuar balancat.

Gjithsesi zgjedhjet vazhdojnë të jenë tejet të paparashikueshme dhe siguria e vetme është ajo e pjesëmarrjes së lartë. Deri në orën 15:00, 43% e holandezëve me të drejtë vote e kanë kryer detyrën e tyre qytetare, 6% më shumë se zgjedhjet e përgjithshme të 2012-s.

Duke përdorur me maturi termat historik apo rekord, komentatorët në Holandë thonë se pjesëmarrja në zgjedhje është vërtetë e madhe, diçka që tregon se holandezët janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e tyre.

Po në këtë kuadër, më herët kryeministri Rute tha se zgjedhjet janë një mundësi për holandezët për të mposhtur llojin e gabuar të populizmit. Ndërsa në krahun tjetër, Wilders është zotuar se do të nxjerrë Holandën nga BE, do të mbyllë xhamitë dhe do të ndalojë Kuranin.

Pavarësisht përballjes së brendshme politike, zgjedhjet në Holandë janë shumë të rëndësishme edhe për Europën, pasi do të pasohen nga zgjedhjet në Francë dhe Gjermani, ku pritet që forcat populiste të paraqiten mirë.

Top Channel