Vrasja e vëllait të Kim Jong un, policia arreston të dyshuarën

15/02/2017 00:00

Policia në Malajzi ka arrestuar një grua në lidhje me vrasjen e gjysmëvëllait të liderit koreano verior Kim Jong un, ndërsa është në kërkim të të dyshuarve të tjerë.

Kim Jong nam u vra me gjilpëra të helmatisura teksa priste të merrte një avion në aeroportin e Kuala Lumpurit ditën e hënë.

E arrestuara, e cila u lokalizua përmes kamerave të sigurisë, është identifikuar si Doan Thi Huong, 28 vjeçe. Në momentin e ndalimit, ajo ishte vetëm dhe në zotërim të një dokumenti udhëtimi vietnamez.

Autoritetet malajziane po kryejnë autopsinë për të zbardhur se çfarë i shkaktoi vdekjen vëllait të diktatorit, por Peniani zyrtar e ka kundërshtuar këtë veprim.

Madje, qeveria në Korenë e Veriut ka kërkuar dorëzimin e trupit dhe ka dërguar disa përfaqësues në spitalin ku mbahet viktima. Por, autoritetet në Kuala Lumpur nuk janë përkulur përpara këtyre kërkesave.

“Malajzia nuk do t’i nënshtrohet presionit të askujt. Institucionet do të ndjekin procedurat”, ka thënë një burim për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Sidoqoftë, Malajzisë i duhet ende të konfirmojë zyrtarisht se personi i vrarë është vëllai i Kim Jong un, pasi ai po udhëtonte me një pasaportë me identitetin Kim Chol.

Top Channel