“Dorëzoni armët”, Tahiri në Elbasan për nismën “Shqipëria pa Armë”

14/02/2017 00:00

Në shumë rrethe të vendit vazhdon dorëzimi vullnetar i armëve. Vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ishte në Paper të Elbasanit, ku i ka bërë thirrje çdokujt që të bashkëpunojë për një Shqipëri pa armë.

“Shqipëria që duam nuk është me armë. Shqipëria që duam është pa armë. Shqipëria me më shumë siguri është pa armë. Shqipëria me një ekonomi më të shëndoshë është pa armë. Shqipëria juaj, e të rinjve duhet të jetë pa armë. Ndaj hajde të punojmë të gjithë bashkë për të bërë Shqipërinë që duam”, tha Tahiri.

Por kërkesa për dorëzimin e armëve erdhi edhe nga vetë të pranishmit në këtë takim, për të cilët ministri gjithashtu kishte një apel.

“Armët sjellin vetëm keq, nuk i duhen njeriu, mbi të gjitha për ata të rinj që janë aty prapa. Ju që jeni prindër dhe keni fëmijë mendoni për ata, ndërsa ju që jeni të rinj bindni prindërit tuaj, bindni familjarët tuaj t’i dorëzojnë të gjithë armët”, tha Tahiri.

Top Channel