Katari, shpenzime marramendëse për Botërorin 2022

09/02/2017 00:00

Po përballet me kritikat e vazhdueshme për rikthimin e skllavërisë te punëtorët që po ndërtojnë stadiume, rrugë dhe aeroporte për Botërorin e futbollit, por pavarësisht problemeve që ka në tërësi kandidatura fituese e vitit 2022, Katari kërkon të lërë mbresa në mbarë botën.

Financat e shëndosha që vijnë nga nëntoka po e bëjnë mbretërinë që të shpenzojë 500 milionë dollarë në javë.

Stadiume të konsideruara “State of the Art”, porte të reja dhe hekurudha në mes të askundit, për të qenë gati për ngjarjen më të rëndësishme sportive. Shifrat e ekzagjeruara po raportohen nga muaji në muaj dhem sipas revistave ekonomike, Katari do ta çojë faturën në 200 miliardë dollarë kur turneu i futbollit të nisë ndeshjen e parë.

Shifrat janë të paprecedenta dhe i shtohen akuzave se, për këtë turne janë përdorur të tjera parà, për të shpallur kandidaturën fituese.

Kjo shumë është 18 herë më shumë sesa shpenzoi Brazili me Botërorin e zhvilluar në vendin e sambës, dhe 19 herë më shumë sesa ka parashikuar Rusia për Botërorin e vitin që vjen. “Katar 2022” do të jetë turneu më i shtrenjtë ndonjëherë, me kontratat që janë akorduar për 90% të projekteve. Edhe pse duhen ende 5 vite e gjysmë, mbretëria aziatike kërkon të jetë para kohe për të evituar problemet me afatet si në Brazil.

Top Channel