Prokuroria e Përgjithshme: Po demotivohen prokurorët për shkak të deklaratave

09/02/2017 00:00

Kërcënimi i prokurorit të Krujës Bujar Memia, ka shërbyer si shkas që Prokuroria e Përgjithshme të reagojë për sulmet publike ndaj organit të akuzës.

Në një deklaratë për mediat, Prokuroria kërkon që “folësit publikë të tregojnë maturi kur komentojnë punën e prokurorëve. Për shkak të sulmeve publike, prokurorët tashmë janë kthyer në subjekte të shantazhit dhe kërcënimit nga persona që përballen me ligjin për veprat penale që kanë kryer”.

Organi i akuzës thotë se prokurorët janë demotivuar  për shkak të fjalorit të përdorur kundër tyre, për të justifikuar ndryshimet ligjore në kuadër të reformës në drejtësi.

“Prokuroria e Përgjithshme, duke ritheksuar mbështetjen e saj për Reformën në Drejtësi, vlerëson se fjalori kundër prokurorëve, i përdorur për të justifikuar ndryshimet ligjore, ka demotivuar këta të fundit, të cilët, gjithësesi po vijojnë të përfaqësojnë denjësisht shtetin në proceset penale për persona të përfshirë në vepra penale”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Një ditë më parë prokurori Memia u kërcënua nga Nazmi Çangu, në seancën gjyqësore që zhvillohej ndaj djalit të tij për veprën penale të prodhimit dhe shitjeve të lëndëve narkotike, ku kërkoi 8 vjet dënim. Babai i të pandehurit e kërcënoi me jetë prokurorin, për shkak të dënimit.

Top Channel