Shkëputja nga BE, Britania publikon strategjinë

02/02/2017 00:00

Detajet e strategjisë për divorcin nga Bashkimi Europian, qeveria britanike i prezantoi për herë të parë në një dokument prej 77 faqesh. Në atë që është quajtur “karta e bardhë” shpalosen 12 parimet e qeverisë së Theresa Mayt, përfshirë kontrollin e emigracionit dhe vetëqeverisjen.

Publikimi i dokumentit vjen pas trysnisë së ushtruar nga deputetët, dhe një ditë pas votimit në favor të një ligji, që i jep kryeministres autoritetin për të nisur procesin formal të shkëputjes nga BE-ja.

Ndër të tjera, në “kartën e bardhë” thuhet se, Britania e Madhe do të kërkojë një partneritet të ri strategjik me Europën, e pas daljes nga tregu i monedhës së përbashkët do të përpiqet të ruajë disa elementë të zonës së tregtisë së lirë.

Në fokusin fillestar për marreveshjet tregtare do të jenë SHBA, Kina, Brazili, Australia, India etj. Një sistem i ri për të kontrolluar emigracionin nga BE-ja do të prezantohet përmes disa fazave, në mënyrë që t’u japë kohë bizneseve të përgatiten.

Sistemi i ri do të projektohet për të mbushur nevojat profesionale në vend, e do të favorizojë studentët. Por, pavarësisht procedurave më strikte të pranimit në të ardhmen, një zëdhënës i laburistëve thotë se emigrantët që gjenden aktualisht atje nuk do të flaken në rrugë.

Qeveria shpreh vullnetin për të lidhur marrëveshje me vendet europiane, lidhur me të drejtat e shtetasve të BE-së në Britaninë e Madhe dhe britanikëve që jetojnë në Europë. Ndërkohë, një tjetër detaj që përmendet në dokument është synimi për një shkeputje sa më të butë nga BE-ja, që do të kërkohet përmes marrëveshjeve kalimtare.

Negociatat zyrtare për daljen nga Bashkimi Europian do të nisin pas aktivizimit të nenit 50 të Traktatit të Lisbonës, diçka që May ka premtuar ta bëjë në fund të marsit.

Top Channel