Veseli: Ngjarjet në Veri, si në Krime para aneksimit. Duhet të dialogojmë

24/01/2017 00:00

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, teksa ka folur për gazetën prestigjioze austriake “Die Presse”, i ka krahasuar ngjarjet në veriun e Kosovës me operacionet e zhvilluara në gadishullin ukrainas të Krimesë, përpara se ai të aneksohej nga Rusia.

Duke risjellë në vëmendje problemin e krijuar me trenin, që ishte planifikuar të udhëtonte nga Beogradi për në Mitrovicën e Veriut, në prag të negociatave të sotme në Bruksel mes kryeministrave dhe presidentëve të të dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, Veseli është shprehur se treni nuk përbën problem për Kosovën, pasi linja hekurudhore nga Kraleva drejt Mitrovicës ekziston që prej 3 marsit të vitit 2008.

“Ne duam që njerëzit të lëvizin lirshëm. Por ai tren kishte të bënte me diçka tjetër, kjo për shkak se mbante mbishkrimin ‘Kosova është Serbi’, gjë që përbën një provokim politik nga ana e Beogradit. Për të tilla gjëra nuk kemi nevojë, as mes vendeve tona, e as në rajon”, thotë ndër të tjera Veseli.

Në lidhje me dërgimin e njësisë speciale të Policisë së Kosovës për ta ndaluar hyrjen e trenit në territorin kosovar, Veseli thotë se kjo ishte thjesht përgjegjësi e autoriteteve dhe institucioneve kosovare dhe nuk përbën aspak një reagim të ashpër.

“Udhëheqësit serbë kanë dashur të demonstrojnë përmes atij treni pushtetin e tyre në Kosovë, gjë që është e papranueshme nga ana jonë”, ka theksuar kryeparlamentari kosovar, i cili ka quajtur provokim edhe deklaratën e Nikoliçit, i cili u shpreh se nëse do të ishte e nevojshme do të përdorej edhe ushtria serbe.

“Ne do të përpiqemi me të gjitha mjetet në dispozicion për të shmangur konfliktet. Kosova është një shtet i pavarur, e për këtë arsye nuk do të lejojë një agresion të Serbisë. Luftërat e shkaktuara nga Serbia, me pasoja të tmerrshme që u kanë kushtuar jetën edhe shumë bashkatdhetarëve të mi, besoj se u ka ardhur fundi. Në Ballkan ka marrë fund epoka e konflikteve”, thotë Veseli.

Sa i përket procesit të dialogut Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e BE-së, Veseli thotë se është një mënyrë e duhur për të zgjidhur të gjitha çështjet ndërshtetërore mes dy vendeve. “Dialogu është i rëndësishëm dhe ne duam ta vazhdojmë atë”, tha ai.

Një ndër këto çështje është edhe ajo që ka të bëjë me urdhërarrestet serbe, të cilat edhe pas 18 vitesh nga lufta e Kosovës vijojnë të shkaktojnë problematika të padrejta sipas Veselit. Rasti më i fundit është ai i ndalimit të ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në Paris, aty ku ndodhet në liri me kusht.

“Ne duam të shmangim çdo mosmarrëveshje me Francën për këtë çështje. Urdhërarrestet serbe janë të padrejta, sepse Haradinaj ka fituar dy herë pafajësinë në Gjykatën e OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë. Sa i përket Beogradit, është e turpshme që vazhdon edhe 18 vite pas luftës me provokime të tilla. Serbia duhet të përqëndrohet më shumë në dialogun me ne dhe në integrimin në BE”, është shprehur Kadri Veseli.

Megjithatë, në lidhje me akuzat ndaj ish-komandantëve të UÇK-së të ngritura nga Serbia, është ngritur me miratimin edhe të palës kosovare Gjykata Speciale, e cila mund të ngrejë shumë shpejt akuza ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshi këtu edhe kryeparlamentarin Veseli, i cili në atë kohë ka qenë kreu i shërbimit sekret.

“Vendimi për krijimin e Gjykatës Speciale ishte i vështirë për kosovarët, sepse ne kemi udhëhequr një luftë për liri kundër Serbisë. E kemi votuar atë edhe pse mendonim se ishte i padrejtë krijimi i një gjykate të tillë, por e kemi bërë për hir të vendit. Duam që të pastrohen të gjitha akuzat kundër UÇK-së, përfshi ato të Dick Marty”, thotë Veseli, i cili shton se nga Serbia presin vetëm respekt dhe njohjen e Kosovës si shtet të pavarur.

Në fund, edhe një koment për zgjedhjen e Donald Trumpit si president të Amerikës, si dhe për politikën amerikane në Ballkan. “Prioriteti ynë është integrimi në BE. Në të njëjtën kohë, edhe marrëdhëniet tona me SHBA-të janë thelbësore. Jemi shumë të sigurtë që edhe me zgjedhjen e presidentit të ri, Donald Trump, marrëdhëniet do të vazhdojnë të jenë shumë të mira. Megjithatë, në lidhje me politikën ruse në Ballkan jemi shumë të shqetësuar. Ajo çfarë po ndodh në veri të Kosovës na kujton operacionet në gadishullin e Krimesë, para se të aneksohej nga Rusia”, deklaroi Veseli.

Top Channel