Migrimi i madh kinez

24/01/2017 00:00

Me afrimin e Vitit të Ri hënor, ushtria e punëtorëve të shpërngulur kinezë përgatitet për rikthim në vendlindje.

Për mjaft njerëz, si edukatorja Han Dongxue, udhëtimi i rrallë në shtëpi është një nga të paktat herë gjatë vitit kur mund të ribashkohen me familjen.

“Me mungojnë shumë prindërit, kam gjysmë viti që nuk i shoh ndaj mezi po pres t’i takoj e t’ju them se i dua shumë. Edhe pse nuk jam me ta, i mendoj gjatë gjithë kohës”, tha Han Dongxue, edukatore.

Jo të gjithë megjithatë do ta ndërmarrin rrugëtimin e shumëdëshiruar. Pronari i një restoranti të vogël ushqimesh të shpejta, Wang Fei është i detyruar të qëndrojë sepse biznesi nuk ka shkuar mirë.

“Punët kanë qenë keq këtë vit. Mendoj se e gjithë situata ekonomike në përgjithësi po çalon e kjo reflektohet edhe në aktivitetin tonë. Ose mbase është thjesht fakti që me këtë lloj biznesi të vogël, nuk bën dot para”, u shpreh Wang Fei, pronar restoranti. 

Në stacionin e trenave të Pekinit, mijëra njerëz iu bashkuan atij që konsiderohet si migrimi më i madh i brendshëm në botë.

“Tradita e do që në Vitin e Ri, të gjithë të shkojnë në shtëpi e ta kalojnë me të afërmit e tyre. Por ky për mua është edhe viti i parë që shpenzoj paratë e mia dhe jo të prindërve sepse hyra në punë. Është ndjesi shumë e mirë”, tha Yue Kun, punonjës IT.

Ditët e lëvizjeve që rrethojnë Vitin e Ri hënor në Kinë nisin në 13 janar e zgjasin deri në 21 shkurt. Kremtimet zyrtare marrin udhë në fund të shkurtit, në vigjiljen e atij që llogaritet të jetë Viti i Gjelit.

Top Channel