Në qeli për shkaktim të vetëvrasjes/ Erdgys Arrazi nuk merr pjesë as në varrimin e dy fëmijëve, “Burgjet” i dhanë leje, policia nuk e mori përsipër

08/05/2024 11:35
Ergys Arrazi, Alma Arrazi dhe fëmijët

Erdgys Arrazit, bashkëshortit të Alma Arrazit i është dhënë leje nga Drejtoria e Burgjeve për të marrë pjesë në varrimin e 2 fëmijëve të tij të cilët u mbytën në lumin Buna së bashku me nënën e tyre dhe motrën 9 vjeçare, trupi i së cilës u gjet ditë më parë.

Erdgys Arrazi, i arrestuar për shkaktim të vetëvrasjes së bashkëshortes së tij Alma Arrazi dhe 3 fëmijëve që u gjetën të mbytur në lumin e Bunës, nuk ka marrë pjesë as në varrimin e djalit dhe vajzës së mitur që bëhet sot në Shkodër.

Top Channel mëson se Drejtoria e Burgjeve e kishte dhënë lejen që Arrazi të shkonte në varrim dhe prokuroria e kishte miratuar.

Por policia e shtetit nuk e ka marrë përsipër shoqërimin e tij në ceremoninë e varrimit të vajzës 7 vjeçe dhe djalit 3 vjeç, trupat e të cilëve u gjetën të pajetë në lumin e Bunës, ndërsa më herët ishte gjetur trupi i motrës së tyre 9 vjeçare.

Ditën e djeshme, Erdgys Arrazi u la në burg nga gjykata e Shkodrës ndërsa ai vetë deklaroi se ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe se do të flasë në një moment tjetër.

Top Channel