28 vjet nga tragjedia e Prespës/ 13 fëmijë u mbytën në liqen, familjarët kërkojnë drejtësi

08/05/2024 13:45

28 vjet më parë, 13 nxënës bashkë me mësuesin e tyre nga Starova e Pogradecit humbën jetën tragjikisht në ujërat e liqenit të Prespës, teksa lundronin të gjithë në një varkë të vetme.

Sot, pas kaq shumë vitesh, familjarët e këtyre fëmijëve të pafajshëm thonë se nuk ka pasur drejtësi për këtë ngjarje tragjike. Hava Latollari thotë se drejtuesi i varkës është dënuar vetëm 8 muaj burg dhe më pas doli.

Shpresa Berberi dhe Nurie Muçollari janë dy nëna, shpirti i të cilave është djegur nga humbja e fëmijëve, ndërsa çdo 7 maj janë të vetmet që i qajnë dhe kujtojnë ata, pasi askush tjetër nuk bëri drejtësi.

Edhe angazhimi për shpëtimin e tyre ka qenë minimal në atë kohë, Havaja tregon se kërkimet nisën vetëm 1 ditë pas ngjarjes për të gjetur trupat e mbytur.

Sot për 14 engjëjt shkolla e Starovës ka marrë emrin e tyre dhe brenda saj ekziston edhe një klasë muze që paraqet këta fëmijë dhe mësuesin që humbën jetën tragjikisht në ekskursionin shkollor, me shpresë se një ditë do të ketë drejtësi për ta.

Top Channel