S’ka paqe mes Muzakës e Tiranës. Korabi gjobit Plakun

16/01/2017 00:00

Nuk ka zgjidhje tjetër veç prishjes së marrëdhënies përfundimtare mes klubit Tirana dhe mesfushorit të tyre, Gjergji Muzaka.

Bardheblutë kanë mirëpritur gjyqin me lojtarin e tyre për të zgjidhur ngërçin e 16 rrogave pa paguar të pretenduara nga futbollisti, për një shumë rreth 11 milionë lekësh, ndërkohë që kontrata ka klauzola, te të cilat skuadra kërkon të kapet për të ulur detyrimin ndaj futbollistit.

Por, kjo nuk është çështja e vetme e Dhomës së Zgjidhjeve të Konflikteve në Federatën Shqiptare të Futbollit. Një tjetër lojtar i papaguar, si Sebino Plaku, ka venodsur të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën me klubin Korabi, ku ishte huazuar nga kampionët e Skënderbeut.

Sulmuesi ka respektuar klauzolën, sipas së cilës ai largohej pa asnjë detyrim nëse nuk paguhej, por burime pranë klubit dibran bëjnë me dije se largimi i tij është pasuar nga një gjobë prej 500 eurosh në ditë, që ka filluar që nga data 5 janar, për mosrespektim të kontratës.

Edhe mes Plakut dhe Korabit nuk ka më kthim pas dhe zgjidhja e kontratës me marrëveshje do të jetë hapi i radhës. Çështja e gjyqeve sportive në FSHF mban ende të pazgjidhur një nga debatet më të diskutueshme dhe më të çuditshme njëkohësisht, sa i përket palëve, kontratave dhe akuzave.

Trajneri Ernest Gjoka dhe ish-klubi i tij Flamurtari nuk kanë gjetur ende një zgjidhje për shlyerjen e detyrimeve. Përpos kësaj, penalizimi që duhet t’i shkonte Flamurtarit për këtë ngërç mbeti pezull, duke i hapur rrugë diskutimeve, ku u përfshi edhe ish-presidenti Shpëtim Gjika, por ka kaluar një muaj dhe situata mbetet e njëjtë, gjë që do të rihapë sërish çështjen mes palëve, por ndryshe nga të tjerët, Flamurtari veç detyrimit financiar rrezikon sërish heqje pikësh.

Top Channel