Skënderbeun e mori Daja

03/01/2017 00:00

Ilir Daja do të jetë trajneri i ri i kampionëve në fuqi të Skënderbeut. Udhëtimi drejt Italisë për italianin Agostinelli në natën e Krishtilindjeve ka qenë vetëm vajtje, pasi drejtuesit korçarë kanë menduar që skuadrën t’ja besojnë një tjetër trajneri.

Do të jetë pikërisht Ilir Daja trajneri që kanë zgjedhur për të marrë drejtimin e skuadrës deri në fundin e sezonit. Konfirmimi është nga burime brenda klubit korçar, ndërkohë që zyrtarizimi do të bëhet të mërkurën, kur skuadra të nisë edhe përgatitjet.

Pas dy fazave të para, korçarët nën drejtimin e Agostinelit i mbyllën në vendin e tretë me 4 pikë më pak se kryesuesit e Kukësit. Jo vetëm kjo, por edhe paraqitja në këto 18 javë e Skëndërbeut me sa duket nuk e ka bindur presidencën që ka menduar për këtë ndryshim.

Ilir Daja është trajneri i larguar nga Tirana për t’u zëvendësuar nga Mirel Josa, ish-trajneri i Skëndërbeut. Kjo nuk është hera e parë që Skëndërbeu ndryshon trajnerin në mesin e sezonit. Kështu ka ndodhur edhe në sezonin 2010/2011, kur u largua në mesin e kampionatit Shkëlqim Muca për t’u zëvendësuar me Shpëtim Duron dhe një vit më parë Shpëtim Duro u largua për t’i lënë vendin trajnerit çek Stanislav Levi.

Top Channel