“Vettingu” nuk preket! Kushtetuesja zbardh pas një jave vendimin

29/12/2016 00:00

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë vetes edhe një javë kohë për të publikuar të plotë argumentat dhe interpretimin përkatës të vendimit që rrëzoi kërkesën e Partisë Demokratike për anti-kushtetueshmërinë e ligjit të Vettingut.

Mbledhja e së enjtes e gjyqtarëve, që zgjati rreth dy orë, miratoi në parim draftin e vendimit të arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese, por miratimi përfundimtar u shty më datë 5 janar, për shkak se u kërkua kohë për sqarimin e dy çështjeve.

Top Channel mësoi se drafti i vendimit të arsyetuar të Gjykatës Kushtetuese është voluminoz me rreth 40 faqe, sepse i përgjigjet çështjeve të detajuara të opozitës. Por kjo është vetëm forma.

Përsa i përket përmbajtjes, Top Channel rikonfirmoi se vendimi ka vetëm një pikë. Ai rrëzon në mënyrë përfundimtare kërkesën e Partisë Demokratike dhe Unionit të Gjyqtarëve, duke lënë në fuqi të pandryshuar ligjin e Vettingut.

Vendimi i arsyetuar i Gjykatës Kushtetuese mund të ketë një interpretim të pafavorshëm për ligjin vetëm për dy pikat që janë akoma pezull.

Ato kanë të bëjnë me veprimtarinë e organeve që kontrollojnë figurën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe me dorëzimin e 3 deklaratave për pasurinë, figurën dhe vetëvlerësimin pas ngritjes së institucioneve të vettingut.

Por, pjesa interpretuese e vendimit nuk ndryshon ligjin dhe nuk sjell ndonjë detyrim për Parlamentin. Megjithatë, nëse interpretimi përfundimtar do të jetë ky, ai mund të jetë një këmbanë për institucionet që do të zbatojnë vettingun, në mënyrë që vendimet të mos ankimohen individualisht nga prokurorët dhe gjyqtarët.

Top Channel